I
Misri duke qenë si njëra ndër kulturat jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit, vazhdon të mbështetet nga Komuna e Gjilanit.
Drejtori për Bujqësi, Bajram Isufi, tha se duke u bazuar në planin e punës për këtë vit, kanë shpallur thirrje për aplikim për farë misri dhe pleh artificial.
Ai tregoi se të drejtë aplikimi kanë të gjithë fermerët e komunës, të cilët janë kultivues të misrit. Derisa përparësi kanë ata që jetojnë në fshatra. Sipërfaqja e planifikuar duhet të jetë nga 0.20 hektarë deri në 0.98 hektarë.
Aplikimi ka nisur nga 21 marsi dhe mbyllet më 9 prill.
“Prioritet ndër prioritete e kemi prodhimin foragjer, me theks të veçantë prodhimin dhe kultivimin e misrit, si njëra prej kulturave jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha Bajram Isufi.
Drejtori i Bujqësisë, shtoi se janë njëra ndër komunat e vetme që e subvencionojnë farën e misrit në nivel të republikës.
Sipas tij në vitin paraprak (2024), kanë përfituar 638 fermerë 1000 thasë farë misri dhe 2000 thasë pleh artificial.