Viti

U nderua vepra jetësore e mësuesit dhe atdhetarit Jetish Vishi

Në përkujtim të figurës së mësuesit dhe pishtarit të shkollës shqipe, atdhetarit Jetish Vishi,nga Verbani I Vitisë, është mbajtur sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një Akademi përkujtimore. Folësit në këtë akademi, rikujtuan veprën jetësore dhe atë arsimore të atdhetarit Jetish Vishi, duke e cilësuar si mësues që hapte shkolla shqipe, e që përhapte rreze dijeje jo vetëm në Kosovë, por edhe në shkolla të Maqedonisë si në fshatin Rashçe të Dërvenit të Shkupit në vitin 1945, në fshatin Zhelinë të Tetovës 1945-1947, e madje arriti të hapte shkollën shqipe edhe në Amerikën tej oqeanike gjatë viteve1973-1977.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në fjalën e tij në këtë Akademi, tha se Jetish Vishi, me punën e tij të palodhshme e me vullnetin e çeliktë për të përhapur rreze dijeje në fushën e arsimit, me sakrificat që bëri për çështjen kombëtare, na bën borxhlinj që ta kujtojmë në përvjetorin e ndarjes fizike nga gjiri familjar e kombëtar, ta kujtojmë me respekt e admirim për punën e tij dyzetvjeçare në fushën e arsimimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja, që sot përbëjnë një armatë intelektualësh të profileve të ndryshme të veprimtarive politiko-shoqërore, ekonomiko-arsimore e shkencore.

“Dhe nëse çdo send apo objekt inorganik vjetrohet e amortizohet dhe në fund asgjësohet, puna e mësuesit, e edukatorit të arsimit nuk asgjësohet kurrë, por vetëm shumëfishohet, ndaj vepra edukativo-arsimore e veteranit të arsimit në treva të ndryshme shqiptare, madje edhe tej oqeanike, nëpërmjet nxënësve të tij është shumëfishuar, është shtuar dhe avancuar dhe është përhapur gjithandej në kohë historike e në hapësirë gjeografike”, tha Haliti
Aziz Zuka

You Might Also Like