Pas sukseseve të arritura në nivel vendi, ku kanë zënë vendin e parë në pingpong dhe në volejboll, drejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa ka pritur vajzat dhe djemtë kampionë, të cilët i ka përgëzuar për suksesin e arritur.
Zyra e drejtorit ishte e stolisur me kupa, medalje, lëvdata dhe flamuj, të fituara nga këta nxënës shembullorë, që ia kanë zbardhur fytyrën jo vetëm Gjilanit e Anamoravës, por mbarë Kosovës.
Drejtori Bekim Mustafa, që u është drejtuar këtyre nxënësve, i ka përgëzuar ata për suksesin e arritur, duke theksuar se ata ishin shembull se si duhet angazhuar për shkollën dhe se ky sukses është meritë e punës së tyre të palodhshme e ushtrimeve të vazhdueshme dhe të mundimshme të tyre dhe të mësimdhënësve të tyre, andaj këta nxënës mbeten krenaria e shkollës, ngase jo vetëm sivjet, por edhe gjatë viteve të kaluara ata kanë arritur suksese të mëdha dhe se pos si sportistë të shquar, ata janë edhe nxënës shembullorë.
Pa dyshim se njëri ndër më meritorët për suksesin e këtyre nxënësve është mësimdhënësi i Kulturës Fizike dhe Sportit dhe trajneri i këtyre ekipeve Blerim Shala.
Ata që e ka arritur ky mësimdhënës nuk e ka arritur asnjë komunë e asnjë shkollë në nivel vendi, ngase me nxënësit e tij, ia doli që të zë dy vende të para, duke u shpallë kampion në dy diciplina, në pingpong dhe në volejboll dhe se gjithsesi se po të shpallej trajneri më i suksesshëm në Gjimnaziadën që u mbajt në Prishtinë, ky epitet do t’i takonte pikërisht profesorit Blerim Shala. Këtë ai e kishte dëshmuar edhe më herët, ngase në tri vitet e fundit, në garat e pingpongut dy herë ishte nënkampion e sivjet kampionë, kurse në garat e volejbollit për dy vite radhazi është shpallur kampion në nivel të Kosovës.
Blerim Shala, lirisht mund të ceket si vjelës i medaljeve të arta dhe i kupave, punëtor shembullor dhe i paepur, i tillë që nxënësit i bënë për vete dhe bashkë me ta ndërton ekip që ka një synim të vetmin, jo sa për të qenë pjesëmarrës në gara, por për të luftuar për vet kreun e kompeticioneve në të cilat merr pjesë.
“Kisha nderin dhe fatin që punova me këta nxënës, shumë prej të cilëve sivjet do të festojnë maturën dhe do të vazhdojnë studimet. Ata do të nisin një rrugëtim të ri në jetën e tyre, por unë do të mbetem dhe do të nis një cikël të ri, me gjeneratat që i kemi dhe që do të vijnë, për të ndërtuar sërish konkurruese, për të sjellë tituj edhe në të ardhmen”, thekson Blerim Shala, njeriu ndër më meritorët për këto suksese.