Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan
Xhamia e Vryçecit është ndërtuar në vitin 1826. Kryesisht ndërtuar me gurë, hatulla si element konstruktiv dhe llaç balte. Xhamia është e vendosur mes dy fshatrave, më saktë në mes të Vryçecit dhe Marocës. Për tërë kohën sa ka funksionuar objekti i xhamisë, xhemati i këtyre dy fshatrave ka kryer ceremonitë fetare në të. Xhamia i takon tipit lokal të xhamive. Është xhami pa minare. Ka një të veçantë krahasuar me xhamitë tjera sepse sallës së lutjeve i prin një korridor i ngushtë, i cili anash ka dy dhoma. Njëra dhomë kishte shërbyer për mësimbesimin e vijuesve, ndërsa tjetra për fjetjeje të imamit, nëse ai do të ishte nga një fshat tjetër.
Objekti është i vjetër gjithsesi dhe viti 1826 është i pranueshëm. Murimi me gurë, gjerësia e murit prej 70 cm si dhe lartësia e objektit, që është më e ulët se zakonisht, flasin për një vjetërsi të çmueshme. Brendia e sallës së lutjeve është e njëjtë me xhamitë tjera. Mihrabi, minberi dhe mahfili përbëjnë elementet kryesore të sallës së lutjeve. Mihrabi paraqet vetëm një nike që nuk është dekoruar, përpos një ngjyre të kuqeje që shkon e ngushtohet në mes, ndërsa mbi mihrab ka një dekorim të vetëm që si biçim shiriti i sillet sallës së lutjeve rreth e rreth. Minberi është prej druri dhe anash tij, më saktë në anën e majtë, se e djathta shkon përskaj murit anësor, ka figura motivesh gjeometrike të gdhendura. Mahfili është i punuar nga druri, gjithashtu me gdhendje dhe stilizime të pakta në rrethojën prej druri. Mahfili qëndron në vetëm një shtyllë druri, edhe ajo me gdhendje të varfra, sikundër me një kapitel krejt të thjeshtë.
Dy anët tjera kapen për muret anësore drejtpërdrejt. E vërtetë se ka pakëz dritë, ndoshta pse disa nga dritaret janë mbyllur me dërrasa. Janë gjithsej 6 dritare në radhën e parë, me dy që lidhen me dhomat përkatëse. Në radhën e dytë nuk ka më shumë se tri dritare. Të gjitha dritaret janë katërkëndëshe. Salla e lutjeve është suvatuar me llaç balte dhe më pas është gëlqerosur me gëlqere të shuar. Më 2005 ka pasur një renovim i dritareve, murit të djathtë dhe kulmit. Kulmi i xhamisë është katërujës, ndërsa nga brenda salla e lutjeve ka tavan. Nga ana e jashtme, në objekt bie në sy streha e gjerë rreth 90 cm, po edhe për drurin friz të dhëmbëzuar.
Është mirë që të ndërhyhet në objekt që të mos shkatërrohet më tutje. Ka pjesë muri që janë çarë aq sa duket drita në anën tjetër. Një problem tjetër paraqet qasja në këtë objekt, tek i cili më së lehti shkohet një dhiareje, por vetëm për vizitë.