Pas dorëheqjes së Malazog Hoxhës, kryetar i deridjeshëm i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, në këtë organizatë të futbollit janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, në të cilat Armend Misini mori besimin e delegatëve për të qenë kryetar i ri i LRFGJ-së me mandat katërvjeçar.
Në këtë Kuvend ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili ka theksuar se dyert e FFK-së janë ta hapura për të gjitha lidhjet rajonale dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. Ai ka thënë se falë angazhimit të Federatës në Rajonin e Gjilanit janë ndërtuar katër fusha me bari sintetik dhe se nga ky rajon vijnë dy klube të fuqishme, Gjilani dhe Drita.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shprehur urimet e tij për kryetarin e ri të LRFGJ-së, Armend Misinin dhe Bordin e ri, për të premtuar mbështetje të plotë nga Federata për riorganizimin e futbollit në Gjilan.
Pas zgjedhjes në krye të LRFGJ-së, Armend Misini ka shprehur falënderimin e tij për besimin e dhënë nga klubet dhe shoqatat e këtij rajoni.
Ai premtoi punë të palodhshme dhe siguroi delegatët se do të punojë me përkushtim maksimal për të avancuar infrastrukturën dhe kushtet e futbollit në rajonin e Gjilanit.
Misini ka thënë se në arritjen e këtyre objektivave do ta ketë përkrahjen e plotë të FFK-së.
“Jam i nderuar që kam marrë këtë detyrë të rëndësishme dhe premtoj se do të angazhohem plotësisht për përparimin e futbollit në rajon. Përveç projekteve konkrete për infrastrukturën, do të jem zëri i klubeve dhe do të punoj në organizimin më të mirë të garave regjionale”, ka theksuar Misini./kryelajmi.com/