Ishte ndeshje shumë me rëndësi për të dyja palët, por ka qenë Gjilani që në pjesë të dytë me shpërthim 20 minutësh kreu punën komplet. Pas pjesës së parë pa gola, Gjilani në pjesë të dytë ka “bombarduar” portën e Fushë Kosovës për të fituar thellë, Gjilani – Fushë Kosova 4-0 [Marko Roganovic 52’, Oltion Bilalli 60’, Senad Jarovic 68’, 74’].
Fitorja bën që ekipi i Gentjan Mezanit të shënojë vetëm fitoren e dytë në pranverë nga 12 ndeshje, por ekipi ato i ka shënuar ndaj rivalëve kryesorë në luftë për mbijetesë, Lirisë dhe sot Fushë Kosovës. Gjithashtu nga 12 ndeshjet e pranverës, “skifterat” kanë vetëm dy disfata!
E kjo ka bërë që tubimi i pikëve të jetë në nivel për Gjilanin dhe me këtë tre pikësh të fituar sot në 20-minutëshin plot furi, së paku sot ekipi të dalë në pozitë të shtatë të renditjes me 30 pikë nga 28 ndeshje, një më shumë sesa Feronikeli’74 që luan nesër.
Fushë Kosova, e drejtuar nga Burim Shalës,tashmë përkundër startit të mirë pranveror, shton rrezikun për rënie. Janë të parafundit në tabelë, me 20 pikë nga 28 ndeshje. E fundit (e dhjeta) është Liria, që tashmë është dorëzuar plotësisht.
Në xhiron e radhës, Gjilani i shkon Prishtinës ndërsa Fushë Kosova pret Malishevën.