LAJME

Gjilani dhe Sioux City i SHBA – së, do të binjakëzohen

Gjilan, 13 prill 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune znj. Kim Heidemann, drejtoreshë ekzekutive e Iowa Sister State (Organizatës së Iowas për bashkëpunime dhe binjakëzime) të qyteteve dhe rajoneve, e cila ka paralajmëruar binjakëzimin e Gjilanit dhe Sioux City gjatë muajve në vijim.

Heidemann bëri të ditur se qëllimi i kësaj vizite ishte parapërgatitje, në kuadër të bashkëpunimit që Gjilani do të ketë me Sioux City, që është njëri prej qyteteve më të mëdha në Iowa.

Bashkëpunimi mes Gjilanit dhe Sioux City, do të jetë në fushën e agrokulturës dhe arsimit.

Ajo ka thënë se Iowa është njëri prej qyteteve më të zhvilluara në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse Kryetari Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është gjithnjë i mirëpritur dhe në funksion të zhvillimit të raporteve në mes të kuadrove profesionale, kompanive biznesore, qytetarëve tanë në përgjithësi, bizneseve, por edhe në fusha të tjera.

“Delegacioni i Iowas dhe i qytetit Sioux, me të cilin do të binjakëzohet Gjilani, do të jenë në Komunën tonë me datën 10 maj 2018, që do t’i paraprij poashtu binjakëzimit. Gjilani ka një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve agrare që janë dëshmuar me punën e tyre. Në kuadër të kësaj në pjesën e parë bashkëpunimi me Iowan , konkretisht me Sioux, do të jetë në agrobiznes, respektivisht në fushën e bujqësisë. Kurse në pjesën e dytë  bashkëpunimi ka të bëjë me arsimin dhe përfitues kryesor do të jetë shkolla e bujqësisë, nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle në Gjilan”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ndryshe, guvernatori i Iowas historikisht ka qenë mik i Gjilanit, sepse menjëherë pas luftës në Kosovë, ai ka vizituar Gjilanin dhe ka parë nga afër gjendjen e atëhershme nëpër disa lokacione, por edhe potencialin që ka kjo Komunë gjatë të ardhmes në zhvillimin ekonomik.

You Might Also Like