Futboll

Gjilani i Ismet Munishit njihet me humbjen

Gjilani ka humbur ndeshjen e parë nën drejtimin e kryetrajnerit Ismet Munishi. Është ekipi i Llapit nga Podujeva që gjilanasëve u ka shkaktuar humbje me rezultat 0:2, me dy gola që i ka shënuar Edon Sadriu, një në pjesën e parë e tjetrin në të dytin.

Skuadra e Llapit, që është në nevojë të madhe për pikë në luftën për mbijetesë, më mirë e ka nisur ballafaqimin ndaj Gjilanit, duke qenë më kërkuese, kurse Gjilani ashtu siç është komod në tabelë, në të njëjtën mënyrë e ka nisur ndeshjen, duke i lanë mbizotërimin mysafirëve.

Mysafirët në minutën 20 kanë shënuar golin e parë, kur Edon Sadriu, që është shërbyer nga thellësia, ka shpërthyer nga e majta dhe me një gjuajtje përtokë ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të Enea Koliqit për rezultatin 0:1. Dy minuta më pas Arbnor Ramadani ka gjuajtur nga largësia, kurse Enea Koliqi me mund e ka dëbuar topin në fundore.

Gjilani rastin e parë të mirë e pati në minutën 27, kur Çyrbja harkoi nga e majta e në brendi me kokë gjuajti Nikaç, por portieri kroat Çoriç me ndërhyrje refleksive shpëtoi gol të sigurt.

Në minutën 29, Franc Veliu bëri një gabim të madh në mbrojtje, kurse furishëm goditi Kastriot Selmani, kurse Enea Koliçi me një ndërhyrje të shkëlqyeshme nxori topin që po futej në këndin e epërm të majtë.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 0:1.

Gjilani e ka nisur shumë keq edhe pjesëlojën e dytë, ngase menjëherë në fillim të saj e ka pësuar edhe golin e dytë. Ka qenë sërish Edon Sadriu që ka shënuar golin e dytë. Ai sërish është treguar më i shpejtë se Hajdari dhe pasi ka shpërthyer nga e majta, i gjetur përpara portierit Koliqi, me urti mbi trupin e tij ia ka dalë të shënojë për rezultatin 0:2.

Në minutën 64, Benjamin Emini i Llapit pasi është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë është dashur që të largohet nga loja dhe Llapi mbeti me 10 lojtarë në fushë.

Ekipi i Gjilanit ndonëse me një lojtar më shumë në fushë, në pjesën e mbetur të ndeshjes nuk ka treguar asgjë konkrete. Loja e tyre ishte e ngadalshme, pasimet tejet të pasakta, kurse nuk u tregua asnjë rast i rrezikshëm para portës së portierit Çoriç.

Me këtë humbje Gjilani ngelet në pozitën e katërt, kurse për trajnerin Ismet Munishi kjo është humbja e parë me Gjilanin.

You Might Also Like