Këtë fundjavë në Superligën e Kosovës në Futboll do të zhvillohet xhiroja e gjashtë në të cilën priten ndeshje tejet interesante. Kështu dy ekipet gjilanasae Gjilanin dhe Dritën i presin ndeshje të vështira në kuadër të kësaj xhiroje.
SC Gjilani këtë të shtunë do të udhëtojë në Podujevë ku do të përballet me Llapin që është në formë. Ekipi llapjan hynë në këtë ndeshje i trimëruar pasi që për momentin zë pozitën e parë në tabelë, derisa edhe Gjilani që tashti ka nisur të konsolidohet nuk mund të konsiderohet kundërshtar i lehtë për asnjë ekip. Gjilani për momentin zë pozitën e shtatë me katër pikë të tubuara, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar, atë me Fushë Kosovën nga xhiroja e parë.
Ekipi tjetër nga Gjilani, FC Drita do të luajë klasiken e futbollit kosovar me Prishtinën dhe për bardh e kaltrit është momenti i fundit që të këndellën pas një serie të barazimeve të njëpasnjëshme. Drita nëse mendon të jetë në hap në garën për titull e ka të domosdoshme fitoren e këtë e ka të ditur edhe kryetrajneri Akis Vavalis, të cilit nuk janë duke i shkuar punët edhe aq mirë. Prishtina në pesë ndeshjet e gjertanishme nuk ka pësuar asnjë humbje dhe një trend të tillë mëton t’a ruaj edhe tashti.
Për momentin, Drita është në pozitën e pestë me gjashtë pikë të tubuara, por me një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Ballkanit, derisa Prishtina është një pozitë më lartë, me dhjetë pikë të tubuara. Kjo ndeshje zhvillohet ditën e diele, në Stadiumin me bari sintetik në Gjilan./kryelajmi.com/.