LAJME

Haziri e Hope të përkushtuar që Komuna e Gjilanit dhe USAID të jenë partner të vazhdueshëm

Gjilan, 14 qershor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune dhe falënderimi drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, me të cilin kanë bashkëbiseduar për punë dhe projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme gjatë të ardhmes, në funksion të një jete më të mirë për qytetarët e Gjilanit.

Pas takimit në zyre, kryetari Haziri dhe drejtori Hope, kanë vizituar çerdhen në lagjen “Dardania”, ku kanë marrë pjesë në programin e fëmijëve të këtij institucioni, që ishte shenjë e falënderimit për këtë investim të madh në shërbim të një komuniteti të gjërë.

Kryetari Haziri ka thënë se edhe para 19 vjetësh në Gjilan kanë hyrë Ushtarët e Marinës Amerikane, të cilët përfundimisht i kanë dhënë dritën e vërtetë të lirisë së Kosovës, sikur që tani po japin jetë dhe po investohet gjithandej nëpër programe të ndryshme nga populli amerikan përmes USAID-it.

“Me USAID-in jemi në një partneritet strategjik në programe të ndryshme që janë realizuar dhe janë në realizim e sipër. Është realizimi i rrugës në fshatin Livoç të Epërm, pastaj investimi në shkollën fillore në Ponesh, investimet në agro-biznes, ku është zgjerimi i hapësirave me mbjellje të fidaneve të vishnjes. Gjithashtu është programi “TIME”, që do të realizojmë për 5 vjet, në ndërtimin e kapaciteteve të transparencës, siç është zyra e Prokurimit, e Auditorit të Brendshëm, e kontrollit financiar dhe që është njëra prej arsyeve që Gjilani është zgjedhur Komuna më transparente në mesin e Komunave të Kosovës dhe krahasuar me vitin 2017, këtë vit për 22 për qind është përmirësuar gjendja edhe te raporti i auditorit të përgjithshëm, që sigurisht është nga puna dhe bashkëpunimi me USAID”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai tha se drejtori Hope është një qytetar i nderit të Gjilanit, të cilit I ka dhënë në shenjë mirënjohjeje punim të veçantë falënderimi duke potencuar se është partner dhe mik i yni, që në emër të USAID-it ka bërë programe të ndryshme “goverment to government”, sikur që është çerdhja në lagjen “Dardania” dhe shumë programe që preken të gjithë qytetarët që nga fëmijët e tutje.

Nga ana e tij James Hope, në fjalën e tij ka potencuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë në fusha të ndryshme përmes misionit të USAID-it, që nga investimi në infrastrukturë të ndryshme sikur në Gjilan, pastaj në institucione arsimore, në teknologji, në ngritje të kapaciteteve dhe asistim në fusha të ndryshme si tek Prokurimi Publik, auditimi, financat publike, arsim dhe shumë programe të tjera.

Gjithashtu ai ka thënë se krijimi i lidhjeve të fuqishme përmes programit “Government to Government” është dëshmuar se mund të punojmë së bashku edhe në fusha të tjera gjatë të ardhmes duke besuar financat për njëri-tjetrin.

Hope ka thënë gjithashtu se do të pres të shohë edhe projekte të tjera në Gjilan gjatë të ardhmes edhe me dinamikë më të shtuar.

Ndërsa, për fund kryetari Haziri ka ndarë me drejtorin Hope një kujtim të tij dhe të qytetarëve të Gjilanit, 19 vjet më parë, kur ky qytet dhe regjion ishte mbuluar nga siguria e Marinës së Ushtrisë Amerikane që ishte edhe fillimi i lirisë së vërtetë në Kosovë dhe Gjilan gjithashtu.

“Vizita e shefit të misionit sot kur jemi në shënimin e ditëve të lirisë, është një nder i dyfisht që neve na jep. E kemi realizuar këtë vizitë këtu, që të kalojmë disa moment me fëmijët të cilët do të jenë gjenerata e integruar në të gjitha format”, ka përfunduar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

You Might Also Like