Gjilan, 3 maj 2018 – Në kuadër të manifestimit “Ditët e Agimit”, sot janë bërë homazhe para shtatores së Agim Ramadanit në sheshin qendror të Gjilanit, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën që i bëri nder Gjilanit, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
“Këto janë ditët e lavdisë . Janë shënuar me kryengritje që Agimi e ka finalizuar me hapjen e kufirit në korridorin më të madh të shqiptarëve. Guri i atij kufiri që nuk ekziston më, është në Gjilan, pran shtatores së Agim Ramadanit. Është krenari për Gjilanin dhe është vlera më e çmuar që kjo kryengritje i ka dhënë shqiptarëve kudo që jetojnë”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka potencuar se “Karadaku si territor gjeografik, Gjilani si kryeqendra më e madhe në këtë pjesë të Kosovës ka dhënë shumë. Agimi ka pasuar rrugën e madhe të Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit dhe janë kryengritësit më të mëdhenjë të tri epokave më të mëdha të shqiptarëve, që janë dëshmia më e mirë se si luftohet për liri dhe e jo për klane, grupe e kërkesa tjera” ka thënë ai, duke potencuar se “Ditët e Agimit” janë ditët e agimeve tona të përbashkëta dhe Agimi në Gjilan kujtohet çdo ditë për dallim nga zonat tjera që ndoshta kujtohet vetëm në ditët e shënuara”.
Kurse, bashkëshortja e heroit, Shukrie Ramadani, ka potencuar dëshirën e madhe që familjet e dëshmorëve kanë për shtetin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm në të gjithë sektorët sipas amanetit të dëshmorëve dhe flijimit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që të punohet më shumë gjithandej, jo vetëm për të përmbushur amanetin e dëshmorëve, heronjëve e të rënëve për liri në luftën e fundit çlirimtare, por edhe për të përmbushur amanetin e shumë të rënëve në vite të ndryshme në luftën për liri.