Gjilan

Hyseni: Rinia jonë po na bën krenarë me përkushtimin e tyre në biznes

Sipërmarrësit e rinj gjilanas, të cilët kanë përfituar grante nga komuna për të dytën herë, janë vizituar nga kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, për të pare nga afër me punën që bëjnë.

Komuna e Gjilanit, për herë të parë në historinë e saj ka ndarë grante për bizneset lokale në vitin 2023, derisa ka vazhduar me ndarjen e granteve edhe në vitin 2024, për të vazhduar edhe sivjet.

Kryetari, Alban Hyseni, tha se rinia jonë po na bën krenarë me përkushtimin e tyre në biznes, andaj, ne si komunë jemi pranë tyre duke iu ndihmuar që këtë rrugë t’ua bëjmë më të lehtë.

“Kënaqësi vizita te bizneset që kanë përfituar nga grantet e komunës, derisa, bashkë me ta diskutuam për punën e tyre dhe investimet që i kanë bërë. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të jetë pranë tyre, njëjtë siç edhe kemi premtuar”, tha Hyseni.

I pari i Gjilanit, theksoi se me fondin për ndërmarrësit e rinj për dy vjet kanë ndarë 248 mijë euro.

“Do të vazhdojmë të punojmë bashkë me bizneset dhe rininë tonë, që të rrisim kapacitetet e ndërmarrjeve, e të ndihmojmë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre”, tha kryetari Alban Hyseni.

You Might Also Like