I ka hyrë seriozisht garës për t’u bërë deputete, me besimin se përfaqëson një frymë të re në PDK, andaj me plot vullnet ka nisur aktivitetin e saj. Erlehta Osmani, ka hapur zyrën në lagjen “Dardania”, e cila ndodhet skaj Restaurantit “Berlin”, ku do të bashkëbisedojë me zgjedhësit, kurse në hapje të zyrës pjesëmarrës ishte edhe Qemajl Mustafa, kryetar i degës, zëvendësministrja në detyrë Leonora Morina – Bunjaku dhe shumë anëtarë e simpatizantë të PDK-së.
Erlehta Osmani ka theksuar se përfaqëson frymën e ndryshimit në PDK, se ka anëtarësime të reja në këtë subjekt politik dhe se këtë frymë e ka parë edhe gjatë kohës sa ishte koordinatore e zgjedhjeve të brendshme në PDK.
Erlehta Osmani, që është femra më e re kandidate e PDK-së, ka theksuar se njerëzit e rinj janë pasuri e PDK-së, që do t’u prijnë proceseve të mëdha në Kosovë.
“Nëse ne jo tash, kur, e nëse ne jo, kush, atëherë?”, ka theksuar Erlehta Osmani, kandidate e PDK-së për deputete në Kuvendin e Kosovës.