Kjo e enjte ka shënuar ditën kur Safet Rexhepi, mësimdhënës i gjeografisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ka mbajtur orën e fundit mësimore me nxënës të klasave të dymbëdhjeta, për të shkuar në pensionimin e merituar.
I saktë dhe i përkushtuar në punë, gjithmonë pedant dhe i motivuar, mësimdhënësi Safet Rexhepi mund të cilësohet si shembulli me tipik i një mësimdhënësi të mirëfilltë. Hartat gjeografike ishin element i pandashëm në punën e tij e profesori Safet, gjithmonë kur shpjegonte para nxënësve me vete mbante edhe mjete të tjera konkretizimi, relikte e mjete karakteristike për vendin apo kontinentin për të cilin fliste. Ai pos përshtypjeve të mirëfillta me kolegë e nxënës, në Gjimnaz la edhe këndin e gjeografisë, të cilin e kishte punuar bashkë me nxënësit, la edhe hartën e madhe më 100 e ca shtete që e kanë njohur Kosovën, hartë e cila pret që të marr edhe më shumë ngjyra të njohjeve e la edhe shumë kujtime të tjera. Shumë moderatorë do t’i kishin lakmi profesorit Safet Rexhepi, që ishte një shoumen, që organizoi qindra kuize të diturisë nga lënda e gjeografisë, të cilat mbase një ditë do të përmblidhen në një libër, ngase nëpër këto kuzie defiluan qindra nxënës nga më të mirët. I lindur në rrethin e Tetovës, Safet Rexhepi, si askush tjetër ka gërshetuar dialektin tetovar dhe atë të rrethit të Gjilanit dhe me një gjuhë të pastër shqipe i bënte tejet interesant kuizet e tija, kurse këtë të enjte nuk pati nxënës a mësimdhënës që nuk kishte dëshirë që të së paku të ketë një foto kujtimi me profesorin Safet Rexhepi.
Safet Rexhepi, pasi kishte përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, dega e gjeografisë, me vite të tëra kishte punuar në ish-gjimnazin “9 maji” në Kamenicë, që më pas ishte pagëzuar “Ismajl Qemajli”. Ai vazhdimisht kishte udhëtuar nga Gjilani, kurrë pa e humbur as edhe një orë mësimore. Punoi edhe në ditët më të vështira për arsimin shqip në vitet nëntëdhjeta dhe në këto kohë të vështira ai në vitin 1994, u transferua në Gjilan, në Gjimnazin “Zenel Hajdini” për t’u bërë më pas pjesë e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku edhe priti pensionin, por me një formë të shkëlqyer, shëndetplotë, i hareshëm si ditën e parë kur kishte filluar punën dhe i përpiktë që për lakmi do t’ia kishin edhe zviceranët.
Kolegët dhe nxënësit, Safet Rexhepit, i uruan shëndet dhe suksese edhe të mëtejme, kurse ndër gjenerata do të mbahet mend si mësimdhënës shembullor.