Edicioni i trembëdhjetë i Manifestimit tashmë tradicional, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, i cili organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu” si dhe Biblioteka e qytetit, “Fan S. Noli” si dhe Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, e që nis këtë të shtunë, më 15 tetor, ora Dymbëdhjetë, hapet me veprën e sapobotuar të Shefqet Dibranit, “Shoshitje letrare”.
Brenda kopertinave të këtij libri, autori Shefqet Dibrani, në studimet e vështrime e tij letrare, ka trajtuar një serë veprash të 25 shkrimtarëve nga Kosova Lindore, përkatësisht nga Vitia, Gjilani, Kamenica, Bujanovci e Presheva, si : Rexhep Elmazi, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Agim Ramadani, Musa Ramadani, Ramadan Musliu, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti, Sabit Rrustemi, Albina Idrizi, Nexhat Rexha, Sevdije Rexhepi, Sarë Gjergji, Sadete Tërrnava-Osmani, Vaxhid Xhelili, Sinan Sadiku, Bilall Maliqi, Alketë Spahiu, Arsim Halili, Fehmi Qerimi, Qëndresë Shala, Nebih Binjaku, Hyrije Isufi, Adnan Mehmeti e Majlindë Shaqiri .
Pas Timo Mërkurit e Anton Nikë Berishës, Shefqet Dibrani është studiuesi i tretë letrar që shtjellon, vlerëson një pjesë të veprave poetike të kësaj pjese të Kosovës si dhe i përmbledh në një libër studimor përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, duke ia mundësuar lexuesit dhe gjithë të interesuarve që të njihen më për së afërmi, me disa nga veprat e këtyre shkrimtarëve si dhe jetën e veprimtarinë e tyre letrare.