ARSIMI

Shqipëria diskuton për Kosovën në Komitetin e Olimpiadës Ballkanike të Informatikës

Nga 3 deri më 8 tetor në Rumani zhvillohet  Olimpiada Ballkanike e Informatikës. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve në Bukuresht është mbajtur edhe takimi i Komitetit të Olimpiadës Ballkanike të Informatikës (Balkan Olympiad on Informatics – BOI). Pjesë e Olimpiadës ishte edhe Shqipëria. Drejtuesja e Shqipërisë, Hatixhe Bilibashi, e hodhi si pikë diskutimi edhe përfshirjen e Kosovës në këtë olimpiadë. Sigurisht është një rrugë e gjatë për të përfshirë edhe Kosovën si pjesë të BOI por disa hapa konkretë duhet të fillojnë dhe nga vetë Kosova. Sipas rregullit, Kosova duhet të aplikojë për Olimpiadën Ndërkombëtare të Informatikës (International Olympiad of Informatics – IOI) që të mund t’i jepet e drejta të aplikojë pastaj në Olimpiadën Ballkanike të Informatikës. Në ndërkohë gjatë viteve të ardhshme Kosova mund të kërkojë nga shtetet organizuese të jetë pjesëmarrëse dhe e ftuar si “mysafire” (“Guest”) për t’u përgatitur dhe fituar përvojën e pjesëmarrjes dhe si anëtare zyrtare më vonë. Të njëjtin shembull e ka ndjekur Italia ku për rreth 5 vite ka qenë pjesëmarrëse si “Guest” dhe gjatë këtij viti u pranua me votime nga anëtarët e Komitetit të Olimpiadës Ballkanike të Informatikës për t’u përfshirë zyrtarisht dhe u bë anëtare e këtij komiteti.
Shqipëria e siguron pjesëmarrjen në BOI të fituesve në nivel kombëtar përmes Albanian ICT Academy dhe STEM Hub të cilat janë partnere të Shoqatës së Informatikës nga Kosova.

You Might Also Like