Viti i Ri 2023 zbardhi me një lajm të trishtë. Ka ndërruar jetë Fadil Bllaca, entuziasiti që organizoi “Vullnetarët e Mëngjesit”, të cilët për çdo ditë ishin pjesëmarrës në ushtrime në Qendrën Rekreativo – Sportive “Muharrem Basha”, edhe atë që nga viti 2000. Ky organizim qytetar në Gjilan, për për çdo ditë tubonte qytetarë të të gjitha moshave e gjinive, të cilët bënin ushtrime trupore dhe kalonin me vrap dhjetëra kilometra.
Edhe tashti 22 vjet pas themelimit, ka vullnetarë të cilët janë aty që nga dita e parë, të atillë që dikur me shumë vështirësi kishin nisur vrapin, por që sot i ngjasojnë atletëve të vërtetë.
Fadil Bllaca, koordinator, në vitin 2000 bashkë me disa entuziastë e nisën rrugëtimin këtyre shtigjeve, që njëzet e dy vite vite më pas numri i tyre është rritur shumë e radhëve të vullnetarëve dita – ditës po i shtoheshin edhe vullnetarë të tjerë.
Në ambient të pastër e të rregulluar mirë, koordinatori i palodhshëm Fadil Bllaca, udhëhiqte ushtrimet e mëngjesit, ndërkohë që skaj tij prore gjendeshin edhe vullnetarë të tjerë.
Këta entuziastë duke parë bukuritë natyrore që ofrojnë malet në të dalë të Gjilanit nisën punimet në këtë oazë sporti e rekreacioni. U rregulluan shtigjet për vrapim, u vendosën pajisje sportive për ushtrime, u vendosën shigjeta orientimi, shporta për hedhjen e mbeturinave e stole për të moshuarit që kanë nevojë për pushim dhe tash ky ambient i ngjason një qendre që ia kanë lakmi edhe shtetet më të zhvilluara, kurse e tërë ko punë u bë në mënyrë vullnetare, derisa tash, kur gjatë ditës këtë qendër e frekuentojnë shumë vullnetarë, ajo ruhet e dita-ditës i shtohen edhe pajisje të tjera.
Dimër e verë, kjo qendër është e mbushur përplot me vullnetarë e numri i tyre sa vjen e shtohet, por në vitin 2023, këtij aktiviteti do t’i mungojnë dy më të përkushtuarit Osman Ibrahimj, që kishte ndërruar jetë muaj më parë, e tashti edhe Fadil Bllaca, që ndërroi jetë këtë fillimvit. /kryelajmi.com/.