LAJME

Administrata e Gjilanit stabile dhe efikase sa i përket shërbimeve për qytetarë

Gjilan, 4 qershor 2018 – Drejtoria e Administratës së Përgjithshme në Gjilan, respektivisht drejtori Bardhyl Syla, ka mbajtur sot konferencë me gazetarë dhe ka bërë të ditur se ky dikaster është duke punuar me përkushtim që shërbimet për qytetarë të jenë gjithnjë në hap me kërkesat e tyre, duke kursyer kohën dhe njëkohësisht është e vendosur në uljen e shpenzimeve në veturat e Komunës së Gjilanit.

Ai ka thënë se në Qendrën për Shërbim të Qytetarëve, të gjitha lëndët dhe kërkesat janë duke u trajtuar në bazë të ligjit duke respektuar afatet kohore të përcaktuara me ligj.

“Jemi të përkushtuar që të bëjmë ngritjen e shërbimeve, cilësisë, efikasitetit dhe transparencës në punë, karshi qytetarëve. Ky është synim yni i përbashkët në kuadër të zbatimit të një qeverisje administrative që zbaton në përpikëri ligjin dhe ligjshmërinë, krijimin e lehtësirave teknike dhe administrative. Jemi duke punuar bashkë me stafin për rritje të përgjegjësisë dhe disiplinës në punë”, ka thënë drejtori Syla.

Ai poashtu ka potencuar se shërbimet e deritanishme elektronike do të jenë vazhdimisht të mirëmbajtura dhe aktive për shërbim më të shpejtë dhe të vazhdueshëm për qytetarët, sikur në e-kioska, aplikim online dhe programe të tjera që e mbajnë qytetarin të lidhur me Komunën.

“Do të vazhdojmë me praktikën që të jemi sa më afër qytetarit përmes produkteve të ndryshme online dhe me teknologji që ata të pajisen me dokumentacion, pa qenë nevoja e kontaktimit me zyrtarët e administratës. E-kiosqet do të mirëmbahen dhe aktivizohen gjithnjë e më shumë që të jenë me produkte shtesë për qytetarët në çdo kohë 24 orë. Projektet tjera apliko online, ueb sms për njoftim të shpejtë të qytetarit etj., janë detyrat që do të jenë gjithnjë në funksion të zvogëlimit të kohës së hargjuar të qytetarit për një shërbim në administratë”, ka thënë ai.

Do të bëjmë investime në teknologji në mënyrë që shërbimet të jenë më të shpejta. Ardhja e mërgatës në vendlindje gjatë pushimeve të verës do të pritet me shërbime edhe më të shpejta duke respektuar kohën e limituar që ata kanë.

You Might Also Like