OPINION

MULLA IDRIZI NUK U PAJTUA QË TË SULMOHEJ GJILANI NË DHJETORIN E VITIT 1944

bl Shkruan: Ma. Blerim Haziri

 

Pasi u pushtua Jugosllavia nga aleatët e Bllokut Qendror, pjesa më e madhe e Kosovës përfshihej në Zonën italiane të pushtimit dhe në bazë të një Dekreti, i bashkohet Shqipërisë, ndërsa një pjesë e Rrethit të Gjilanit dhe ana e djathtë e Moravës pjesë në veri të Pasjanit, Vitia, Kaçaniku i Vjetër, rrethet e Preshevës, Kumanovës, Bujanovcit, Shkupit, mbeten nën pushtimin bullgar. Shqiptarët e rrethit të Gjilanit kontribuan në kapitullimin e Bullgarisë. Pasi kapitulloi Bullgaria në nëntor të vitit 1944, forcat nacionaliste shqiptare të ndihmuara nga Komanda e ushtrisë gjermane i bashkohen Shqipërisë.

Përgjegjës ushtarak për vijën e kufirit Shkup-Kumanovë-Preshevë-Bujanovc caktohet Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Veprimtaria e forcave nacionaliste zhvillohej me angazhimin e Mulla Idriz Gjilanit, Xheladin Kurbaliut, Miftar Spahiut, Ibrahim Kelmendit, Sylë Hotla, Liman Stanecit, etj.

Në dhjetorin e vitit 1944, ushtria serbe dhe maqedone angazhohen kundër reaksionit, për të realizuar qëllimet e tyre antishqiptare. Për këtë dallohej Brigata XVII maqedone e Divizionit të 41-të, që vepronte në trevën e Gjilanit, por në këto toka operonin edhe reparte të tjera serbe. Sulmin në Gjilan e provokuan Toma Popoviq, Sekretar i Komitetit të PKJ të Gjilanit, Sima Mileniq, komandant i komandës së vendit, Lubo Shotra, shef i OZN-as etj, të cilët donin justifikim që të vrisnin shqiptarë.

Në këto rrethana rezistenca shqiptare nuk kishte armë të mjaftueshme për mbrojtjen e tokave dhe banorëve shqiptarë. Mulla Idrizi urdhëronte që të merrej armatimi që gjendej në depon e Hogoshtit. Brigada maqedonase arriti më 18 dhjetor 1944, në Hogosht dhe posedonte informacione se te “Guri i Zi, mbi Zarbicë janë mbi 2.000 shqiptarë të armatosur”. Rezistenca shqiptare vendoset në pika strategjike, duke vrojtuar territoret mbi Hashani e Gallap. Mulla Idrizi urdhëroi që “Zjarrit ti përgjigjemi me zjarr, e dekës me dekë”. Deri sa lufta në këto treva vazhdonte, arrinin lajme nga Gjilani se OZNA, masakronte shqiptarë të kësaj treve, madje angazhuan Çun Magjupin e Shupashnicës, e disa të tjerë, që shqiptarët e dalluar t’i mbyste me mjete të mprehta, apo të forta si: thika e çekani që most ë krijohet zhurmë. Kjo vepër makabre e rriti revolten e Rezistencës dhe fitorja ndaj Brigadës Maqedone në luftën e Desivojcës e ngriti moralin që t’iu vihej në ndihmë të burgosurve në Gjilan.

Komandanti i Shtabit Drejtues Mulla Idriz Gjilani thirri mbledhjen e shtabit më 20 dhjetor 1944, në një fushë midis Kopërnicës dhe Hogoshtit. Pjesëmarrës përveç anëtarëve të Rezistencës ishin edhe njerëz me ndikim në popull. Në këtë mbledhje Mulla Idrizi propozoi që mos të shkohet në Gjilan, sepse aty do të jetë fundi i rezistencës, dhe i vetëdishëm për fuqinë dhe dredhinë e armikut propozoi që të luftohet në male, sepse rezistenca nuk ishte gati për një sulm të tillë dhe si dëshmi ishte dështimi në Ferizaj dhe thoshte se gabimi nuk duhet përsëritur. Debati i ashpër rezultoi që ky takim të përfundoj pa një vendim, pastaj Mulla Idrizi, i  kërkoi Muharrem Fejzës, Lotë Vakut, Sylë Zarbicës, Islam Sadllarit e Shefki Desivojcës, të tërhiqen në odën e Qazim Kopërnicës, dhe aty të debatonin në detaje për sulmin e Gjilanit.

Në këtë mbledhje të Shtabit Drejtues të Rezistencës, edhe pse Mulla Idrizi nuk u pajtua, vendimi u mor që të prijnë në krahun e djathtë të rrugës Hogosht-Gjilan, nëpër rrëzat e malësive të Gallapit për tu siguruar nga një sulm eventual jugosllav nga drejtimi i Gjilanit. Pastaj. Forcat e Rezistencës shqiptare kaluan nga Kopernica në Kamenicë dhe në orët e vona në Busavatë, të cilët pushuan deri më 21 dhjetor 1944. Po këtë ditë trupat e rezistencës rreth 600 veta hynë në Përlepnicë. Meqë Përlepnica kishte banorë pak ata u vendosen në rreth 30 oda. Sylë Zarbica u zgjodh komandant i sigurimit, ndërsa Nazif Rrahmani nga Përlepnica u zgjodh komandant i rojës. Mulla Idrizi vazhdimisht tentonte që së paku të shtyhet sulmi dhe në një mbledhje së fundi ju kishte thane: “O burra, aman ma dëgjoni fjalën! Përsëritja e gabimeve ka përgjegjësi para historisë. Ta kthejmë popullin nga kjo rrugë që ka për ti kushtuar tepër shtrenjtë. Jam i sigurt se sot do ta marrim Gjilanin, por kurrë nuk do të mund ta mbajmë dhe ta mbrojmë atë. Kemi për ti marrë në qafë dhe përgjegjësia bie mbi ne udhëheqësit.

Këtu ishin dy mendime: i Mulla Idrizit për mos sulm sepse e dinte rrezikun, kurse i dyti ishte i Muharrem Fejzës për një sulm në Gjilan dhe në këtë mbledhje ishte votuar nga shumica e anëtarëve mendimi i Muharrem Fejzës, që të sulmohet Gjilani dhe komandën nga tani ta ketë Muharrem Fejza.

Shtabi Drejtues i Rezistencës filloi përgatitjen e sulmit. Muharrem Fejza i dërgoi fjalë Shytë Marecit dhe Hysen Tërpezës, që të sulmonin nga ana e Pasjanit dhe e Livoçit. Sherif Dediqit të Zajçecit, të vinte e të sulmonte nga Kufca e te “Kroi i Bardhë” i Gjilanit dhe në qendër të qytetit. Lam Breznica ishte urdhëruar që në Grykën e Konçulit të pengonte depërtimin e forcave jugosllave.

Vllada Popoviq për këtë sulm u njoftua dhe së bashku me OZNA, hartuan një strategji që ti befasonin ushtarët e Mulla Idrizit, duke lejuar hyrjen në qytet pa rezistencë. Pas hyrjes së kryengritësve shqiptarë në qytet, të sulmohen dhe të mos kursehen as banorët shqiptarë të qytetit. Edhe pse Vlladës iu kërkua nga komunistët shqiptarë, që të luftohet jashtë qytetit, ai këtë nuk e pranoi, duke pasur për qëllim që ta realizonte Elaboratin e Vasa Çubriloviçit, me të cilin parashihej likuidimi dhe shpërngulja e shqiptarëve. Vllada Popoviç ishte në dijeni që Forcat e Rezistencës Shqiptare do ti lironin të burgosurit shqiptarë nga burgjet e OZNA, prandaj dha urdhër që të vritej udhëheqësia shqiptare.

Muharrem Fejza kuptoi vuajtjen shpirtërore të Mulla Idrizit, prandaj në emër të Shtabit Drejtues e luti që të mos afrohet më shumë se Bunari i Përlepnicës. Madje i tha që vendimin për sulm në Gjilan e morëm pa bekimin tuaj, ndaj kemi frikë se do të të humbim, e humbja jote do të thotë fundi i Rezistencës. Prandaj, Mulla Idrizi me disa luftëtarë mbeti te “Bunari i Përlepnicës” për të siguruar prapavijen e sulmeve shqiptare. Gjatë sulmit të Rezistencës shqiptare ai u vendos në Kosaçë, afër lagjes së muhaxherëve, midis Kufcës e Përlepnicës, për ta përcjell me dulbi zhvillimin e ngjarjes. Duke qenë të informuar se Rezistenca Shqiptare do ta sulmonte Gjilanin, forcat kryesore jugosllave ishin larguar në drejtim të Korotishtës, Stanishorit, Shillovës e Velekincës, në mënyrë që sulmuesit të hynë në qytet të papenguar, pastaj ti rrethojnë e sulmojnë nga jashtë pa kursyer as civilë.

Në mëngjesin 23 dhjetorit 1944, Muharrem Fejza me bashkëluftëtarë shqiptarë, nisen rrugës nga Përlepnica për në Gjilan. Deri në orën 9 të mëngjesit çliruan pjesën më të madhe të qytetit, me përjashtim të ndërtesës së OZN-as dhe të burgut, të cilat ishin shumë të sofistikuara dhe në të ishin vendosur të burgosurit shqiptarë. Forcat shqiptare të Rezistencën arriten të lironin 37 të burgosur. Pasi liruan të burgosit Forcat e Rezistencës filluan të largohen nga Gjilani me një sasi të madhe armatimi që morën nga depot e armikut. Tërheqja pa ndonjë urdhër të përgjithshëm tmerroi Mulla Idrizin. Menjëherë pas tërheqjës së pjesës kryesore të Rezistencës Shqiptare filloi sulmi i përgjithshëm i ushtrisë serbe dhe paramilitare, të cilëve në ndihmë u erdhi Batalioni nga Ferizaj.

Urdhëri nga Armata Jugosllave u dha që mos të kursohen as gra e fëmijë shqiptarë. Dëm të konsiderueshëm armikut i shkaktoi njësiti i Sherif Dediqit të Zajçecit, të cilët ishin pozicionuar në qendër të qytetit dhe sulmin e kryenin nga minarja e Xhamisë së Madhe të Gjilanit.

Mulla Idrizi duke ndier se diçka e rëndë po ndodhte, shkrepë pesë here me pushkë si sinjal për tubimin e Rezistencës Shqiptare, e para arriti njësiti që kishte për detyrë mbledhjen e armatimit, pastaj arrinë njësiti i Sylë Zarbicës dhe së fundi arrinë Muharrem Fejza, të cilët me veti kishin edhe robër lufte, por me urdhër të Mulla Idrizit lirohen. Mulla Idrizi edhe pse nuk ishte pajtuar me një sulm të tillë kundërshtimin e vetëm ndaj Muharrem Fejzës e Sylë Zarbicës, e kishte shprehur me një ofshame dhe kishte thënë se: kështu e paska shkruar Zoti, por tani ejani në veti e mos të humbim kohë dhe të jemi roje të fshatrave, sepse i druhej një sulmi të pëgjakshëm në Përlepnicë e rrethinë.

Vrasje e burgosje të shumta ishin kryer edhe para sulmit të Rezistencës shqiptare, mirëpo Gjilani tmerrin nga komunistët serb e përjetoi pas 23 dhjetorit 1944, të cilët duke i trajtuar si ballistë vrisnin e masakronin pa mëshirë. Kjo formë gjenocidi, masakra, vrasje, burgosje, largimi me dhunë nga shtëpitë e tyre, e detyruan popullatën shqiptare ta lëshonin Gjilanin. Sulmi i njohur i vullnetarëve shqiptarë të Mulla Idrizit, ishte një nga përpjekjet për ta shpëtuar Gjilanin nga forcat e huaja. Ishte sulm popullor, kundër atyre që silleshin si pushtues në trojet tona.

 

 

 

 

You Might Also Like