Gjilan, 22 mars 2018 / Kuvendi i Gjilanit, nën drejtimin e kryesueses Shpresa Kurteshi-Emini, ka miratuar të enjten ndryshimet dhe plotësimet në statutin e Komunës, me 29 vota për dhe 6 kundër dhe kështu i ka hapur rrugë riorganizimit të ekzekutivit, duke rikthyer dy drejtoritë e mëhershme, Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorinë e Inspektoratit, ndërkaq nuk ka përkrahur krijimin e drejtorive tjera dhe as komiteteve, me përjashtim të Komitetit për personat me aftësi të kufizuar.
Lëvizja Vetëvendosje, me një përjashtim, ka votuar kundër ndryshimit të statutit, edhe pse kërkesa e saj për themelimin e një komisioni komunal për të vlerësuar punën e katër viteve të kaluara në sektorin e ndërtimeve pa leje dhe ambient, u përkrah nga subjektet tjera. LVV insistoi që ndryshimi i statutit të bëhet pasi që komisioni ta përfundojë punën e tij.
Fillimisht, arsyet për nevojën e ndryshimit të statutit i ka paraqitur Arben Mehmeti, kryetar i komisionit, i cili ka thënë se versioni i ofruar është një dokument i hartuar me konsensus politik dhe harmonizim të sugjerimeve të qytetarëve.
Komisioni ka propozuar themelimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Drejtorisë së Inspektoratit, ndërkaq, për arsye të profilizimit dhe shërbimeve më efikase në raport me qytetarët, është propozuar që Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të ndahet në Drejtori për Shëndetësi Primare dhe Drejtori për Çështje Sociale dhe Banim Social. Po ashtu, si nevojë për një përkushtim më serioz në lidhje me disa shërbime më specifike, është arritur pajtimi që të propozohet edhe një drejtori e re – Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, ka thënë Mehmeti.
Po ashtu, në kuadër të këtyre ndryshimeve, është rekomanduar krijimi i Komiteteve të reja, si kërkesë e grupeve të caktuara të njerëzve si dhe krahas themelimit të drejtorive, edhe atë: Komiteti konsultativ për persona me aftësi të kufizuar, Komiteti për shëndetësi primare, Komiteti për çështje sociale dhe banim social si dhe Komiteti për mbrojtje të mjedisit.
Në debat janë përfshirë Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli (PDK), Anila Tusha (Nisma), Ibish Ibishi (AAK), Shemsedin Ramushi (AKR), Milivoje Stojanoviq (LS), të cilët në emër të grupimeve të tyre politike i kanë dhënë mbështetje ndryshimit të statutit, ose parimisht janë deklaruar për rithemelimin e dy drejtorive të reja, ndërkaq Nevzad Isufi (LVV) ka thënë se edhe ai parimisht
është për rithemelimin e dy drejtorive të mëhershme, por ka kërkuar që më parë të bëhet një vlerësim i gjendjes në këta sektorë dhe dëmeve që janë shkaktuar me shuarjen e Drejtorisë së Kulturës dhe Inspektoratit. Ky propozim është mbështetur edhe nga Bujar Nevzati (PDK), i cili përndryshe i ka votuar ndryshimet e propozuara.
Ndërsa anëtarët tjerë të këtij subjekti (LVV), Arbëreshë Kryeziu, Arijeta Rexhepi e Nehat Osmani kanë thënë se janë kundër këtyre ndryshimeve. Osmani ka thënë se shuarja e këtyre dy drejtorive ka qenë e padrejtë dhe e paarsyeshme, ndërsa propozimi për rikthimin e tyre, është i pa sinqertë dhe i ka ftuar edhe subjektet tjera që të votojnë kundër.
Një anëtare e këtij subjekti, Festa Shabani, ka votuar në favor të ndryshimit të statutit, derisa votat e 6 të tjerëve kanë qenë kundër.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se nisma e kryetarit të Komunës për ndryshimin e statutit, ka hasur në mirëkuptim tek anëtarët e Kuvendit, si nevojë për ri-organizmin e ekzekutivit si dhe shërbimit civil, duke sqaruar se Kultura dhe Inspektorati, në mandatin e kaluar kanë funksionuar si sektorë, ndërsa tani është vlerësuar i arsyeshëm rikthimi i tyre në nivel drejtorie.
Kuvendi ka miratuar me 20 vota për dhe 9 kundër edhe raportin financiar për vitin 2017, të cilin e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Abdyl Jerliu, ndërsa në diskutim, me lëvdata, kritika, vërejtje e analiza, në emër të grupeve të këshilltarëve, janë përfshirë Avdyl Aliu (LDK), Nevzad Isufi (LVV), Shefik Surdulli (PDK), Ibish Ibishi (AAK) Enver Hajrullahu (Nisma), sikurse edhe anëtarët tjerë të Kuvendit, Hevzi Xhelili (PDK), Arbëreshë Kryeziu (LVV), Arijeta Rexhepi (LVV), Shemsedin Elezi (LDK), Burim Berisha (LDK), Nazim Gagica (AAK), Riza Abdyli dhe të tjerë.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe vendimin për bartjen e mjeteve të pa shpenzuara nga viti 2017 në vitin 2018, në shumë prej 1 milion e 780 mijë euro, pastaj planin e punës së Kuvendit për vitin 2018, rishikimin e vendimit për caktimin e anëtarëve në Komitete, sipas kërkesës së MAPL, vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, rregulloren për subvencione, rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, vendimin për zgjedhjen e anëtarëve në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës si dhe kërkesën për mbështetjen e Teatrit të qytetit, ndërkaq rregulloren për varreza, me propozimin e shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu si dhe përkrahjen e grupimeve tjera politike, e ka shtyrë për seancën tjetër.
Te rregullorja për taksa ka ndryshime te sektori i shërbimeve publike, pastaj është bërë një ri-rregullim i tarifave për shfrytëzimin e hapësirave sportive, i tarifave për shfrytëzimin e hapësirave të bibliotekës dhe të tjera. Në përgjithësi tarifat për shërbime publike, janë ulur deri në 30 për qind.
Edhe te rregullorja për subvencione, janë propozuar disa ndryshime. Përfitues i subvencioneve mund të jetë vetëm personi fizik ose juridik, i cili i ka të përfunduara obligimet ndaj Komunës.
Rregullores i është shtuar një paragraf te neni 19, ku thuhet se subvencionimi për dëme të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore, zjarret , dëmet tjera, bazohet në raportin e vlerësimit të dëmeve nga organi kompetent.
Po ashtu është shtuar një paragraf te neni 22, që parasheh subvencionimin e projekteve të bashkësive fetare për veprimtari me interes publik. Sipas kësaj rregulloreje, kryetari i Komunës lejon ndarjen e subvencioneve për persona juridikë deri në shumën 4.000 euro, ndërsa për persona fizikë deri në 1.500 euro, me dedikim për nevoja shëndetësore dhe mirëqenie sociale. Nëse ndihmat financiare kanë të bëjnë me shuma më të mëdha, atëherë vendos Kuvendi i Komunës.
Ndërkaq, sa i përket kërkesës për mbështetjen e Teatrit të qytetit, si nevojë e funksionimit të gjithmbarshëm të aktiviteteve socio-kulturore dhe krijimtarisë skenike, duke përfshirë të gjitha manifestimet, programet dhe aktivitetet tjera që zhvillohen në këtë objekt, Kuvendi vendosi ndarjen e një shume të mjeteve prej 22.416 euro.
Në fillim të seancës sipas praktikës së rregullt kuvendare, këshilltarët komunalë kanë parashtruar pyetje të ndryshme për drejtorët komunalë dhe për shumicën e tyre kanë marrë përgjigje aty për aty, ndërkohë që për disa pyetje të tjera, këshilltarët komunalë do të marrin përgjigje përmes postës elektronike, siç ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, brenda javës.